Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, dhe grupeve parlamentare, duke shprehur shqetësim lidhur me projektligjin për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi tubimet dhe manifestimet publike.
Sipas OKB-së, amendamentet e propozuara nuk janë në përputhje me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, të cilin Mali i Zi e ka nënshkruar më 2006.
Në letrën e nënshkruar nga Diego Sorilja, Koordinator Rezident i OKB-së dhe Anjet Lanting, këshilltare për të drejtat e njeriut, theksohet se projektligji parashikon ndalime të përgjithshme të tubimeve në rrugët kryesore, autostradat, rrugët rajonale dhe pikat kufitare, gjë që sipas tyre nuk përputhet me standardet ndërkombëtare që lejojnë kufizime vetëm në raste të veçanta dhe me arsye të ligjshme.
OKB gjithashtu kritikon rritjen e gjobave si të tepruara dhe që mund të pengojnë ushtrimin e lirive të tubimit paqësor. Ajo bazohet në Komentin e Përgjithshëm nr. 37 të Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe në praktikat e Këshillit të Evropës dhe OSBE-së.
Në letrën theksohet se tubimet paqësore duhet të lejohen në hapësira publike pa kufizime të përgjithshme që pengojnë lirinë e pjesëmarrjes, dhe se duhet të ketë një tolerancë më të madhe ndaj diskomfortit të shkaktuar, siç është pengimi i trafikut në rrugë.
Sistemi i OKB-së në Mal të Zi ofron mbështetje Parlamentit për të diskutuar dhe përmirësuar këtë ligj në mënyrë të përfshirë dhe transparente, duke përfshirë shoqërinë civile.
Letra është dërguar edhe tek udhëheqësit e grupeve parlamentare nga partitë kryesore në vend.