Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Gjatë vizitës zyrtare të ministres së Turizmit të Malit të Zi, Simonida Kordiq, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizëm (UNWTO) në Madrid, u theksua se Mali i Zi renditet i 6-ti në botë për rritjen e të ardhurave nga turizmi.
Ky takim u organizua me rastin e fillimit të presidencës dyvjeçare të Malit të Zi në Komisionin Evropian të Organizatës Botërore të Turizmit, që nisi këtë vit.
“Gjatë takimit të gjatë u diskutuan detyrat kyçe të presidencës, prioritetet e vendeve anëtare të Komisionit Evropian, si dhe hapat konkretë për realizimin e Agjendës për Evropën, një plan që përfshin projekte me interes të përbashkët për vendet evropiane”, theksojnë nga Ministria e Turizmit.
Sipas raportit më të fundit të UN Barometrit të Organizatës Botërore të Turizmit për tremujorin e parë të vitit 2025, Mali i Zi renditet i 6-ti në botë për rritjen e të ardhurave nga turizmi krahasuar me vitin 2019, me një rritje prej 87 përqind.
“Sa i përket shpenzimeve turistike, Mali i Zi renditet në vendin e 9-të, me një rritje prej 84 përqind. Krahasuar me vitin 2024, është regjistruar një rritje prej 13 përqind”, thuhet më tej në njoftim.
Drejtoresha ekzekutive Natalia Bajona dhe ekipi i saj prezantuan projektet aktuale të UN Turizmit, objektivat strategjike për periudhën e ardhshme, si dhe mundësitë për përfshirje më intensive të Malit të Zi në iniciativa dhe ngjarje me rëndësi globale në fushën e turizmit.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua fusha si inovacioni, investimet, zhvillimi i burimeve njerëzore në turizëm, promovimi i turizmit rural, analizat e tregut dhe statistikat”, thanë ata.
Kordiq i falënderoi për mikpritjen e ngrohtë dhe shprehu kënaqësinë për besimin që iu dha Malit të Zi për kryesimin, duke theksuar se kjo është një mundësi për bashkëpunim më të ngushtë brenda UN Turizmit.
“Ajo theksoi rëndësinë e turizmit jo vetëm për ekonominë globale, por edhe për zhvillimin ekonomik të Malit të Zi, ku ky sektor ka një rol strategjik”, thuhet në njoftim.