DUKAJ: DIALOGU DHE BASHKËPUNIMI JANË KYÇ PËR REFORMËN E ADMINISTRATËS PUBLIKE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi në çdo nivel të pushtetit janë të nënkuptueshëm, si një kusht i domosdoshëm për krijimin e politikave publike, në drejtim të një reforme të suksesshme të administratës publike, e cila ka rëndësi kyçe jo vetëm në kuadër të aktiviteteve para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), por edhe për cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve.

Dukaj hapi Forumin për Reformën e Administratës Publike, i cili u organizua nga organizata joqeveritare “Instituti Punta”, në Ulqin, në kuadër të projektit “Bashkësitë lokale efikase – lidhje efikase mes qytetarëve dhe komunës në procesin e krijimit të politikave publike”.

Ky aktivitet, sipas organizatorëve, u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërmjet administratës publike dhe qytetarëve, me fokus në zhvillimin e institucioneve funksionale, të qasshme dhe të përgjegjshme.

“Në këtë proces, secili ka një rol të rëndësishëm, dhe të gjithë jemi hallka të një zinxhiri që nuk guxon të këputet,” tha Dukaj.

Forumi u organizua në formën e një diskutimi panel, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe lokale, sektorit civil dhe bashkësive lokale, me qëllim hapjen e dialogut për sfidat dhe prioritetet në reformën e administratës publike, si dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në politikat publike në nivel lokal.

“Po krijojmë një administratë që nuk është vetëm një formë e thatë dhe një grumbull procedurash, por një proces i gjallë që funksionon dhe përmirësohet në përputhje me nevojat e qytetarëve, ekonomisë dhe sektorit civil,” theksoi Dukaj.

SHARE