Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në një ditë do të dihet vetëm pasi liderët e partive politike të arrijnë konsensus, u theksua në mbledhjen e sotme të Komitetit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore në Parlamentin e Malit të Zi.
Bashkëkryetari i Komitetit, Vasilije Çarapiq nga Lëvizja “Evropa Tani”, deklaroi se data e zgjedhjeve nuk mund të imponohet pa marrëveshje politike.
Nga ana tjetër, Nikolla Rakoçeviq nga PDS-ja kujtoi se reforma përfshin pesë elementë kyç, mes tyre edhe mbajtjen e zgjedhjeve në një ditë, profesionalizimin e komisioneve zgjedhore dhe financimin e partive.
Deputetët diskutuan për ndryshimet në ligjin për financimin e partive dhe zgjedhjeve, si dhe për masat kundër fushatave të paligjshme nga funksionarët shtetërorë.
Po ashtu, u trajtua edhe çështja e përfshirjes së më shumë grave në listat zgjedhore.
Reforma ka hyrë në fazë vendimtare, ndërsa marrëveshja për datën e zgjedhjeve mbetet ende e pasigurt, por vendimtare për stabilitetin zgjedhor dhe politik.
Parimisht, shumica parlamentare dhe opozita janë dakorduar që zgjedhjet lokale në të gjithë vendin të mbahen në një ditë në vitin 2027, me mundësi që në të njëjtën ditë të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare, nëse rrethanat politike e lejojnë.