Ish-kryeministri suedez Carl Bildt ka reaguar përmes një postimi në X lidhur me krizën politike disa mujore në Kosovë, duke pyetur nëse Kosova do të ketë ndonjëherë një qeveri të re.
Ai theksoi se pamundësia për të përparuar ka dëmtuar kredibilitetin e shtetit, gjë që është negative për të gjithë.
Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën as për herë të 50-të, më 21 korrik, të konstituojnë institucionin, pavarësisht shpresave për një marrëveshje që do të zhbllokonte situatën gjatë fundjavës.
Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një konference për media, deklaroi se partia e tij është e gatshme të bashkëqeverisë me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, duke thënë se i ka bërë atyre një ofertë konkrete.
Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme, duke theksuar se ende po vazhdojnë bisedimet dhe se nevojitet vullnet politik për të formuar institucionet e reja.