Foto: AA
Konferenca e Pestë Ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian (BE) dhe Shqipërisë mbahet sot në Bruksel, ku do të hapen kapituj të rinj për negociatat e anëtarësimit, raporton Anadolu.
Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi dy javë më parë qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë me 8 kapituj të rinj të grupimit të 3-të “Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”.
Delegacioni i Shqipërisë në konferencën e sotme ndërqeveritare kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ndërkohë pjesë janë dhe ministra të tjerë dhe zyrtarë të ndryshëm.
Hapja e kapitujve të rinj në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, konsiderohet nga autoritetet shqiptare si një hap i rëndësishëm e historik përpara në negociatat e vendit për anëtarësim në BE.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014. Konferenca e Parë Ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grup-kapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024. Në prill në Luksemburg u mbajt konferenca e katërt ndërqeveritare, duke u hapur kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin.
Shqipëria synon të hapë kapitujt e mbetur këtë vit dhe të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë deri në vitin 2030.