Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të qëndrojë për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 23 deri më 26 maj, me ftesë të shefit të delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe kongresmenit Mike Turner.
Siç u njoftua nga Kabineti i tij, gjatë vizitës, Millatoviq do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, e cila do të mbahet në Dayton, me rastin e 30-vjetorit të Marrëveshjes së Paqes së Dayton-it.
“Në kuadër të programit zyrtar, presidenti do të marrë pjesë së bashku me liderët e tjerë në një ngjarje të nivelit të lartë, ku do të mbajë edhe një fjalim,” thuhet në deklaratë.
Gjithashtu janë planifikuar takime të shumta bilaterale me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të SHBA-së si partner kyç i politikës së jashtme të Malit të Zi, temat e takimeve do të përqendrohen në forcimin e aleancës dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë,” thuhet më tej në njoftim.
Theks i veçantë do t’i kushtohet fushave të sigurisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit ekonomik.
“Kjo vizitë paraqet njëkohësisht një konfirmim të fortë të përkushtimit të Malit të Zi për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për një rol aktiv brenda komunitetit euroatlantik,” thuhet në deklaratë.