KALLAS NË BEOGRAD: SERBIA DUHET TA DËSHMOJË SE E KA QËLLIM TË VËRTETË ANËTARËSIMIN NË BE

Foto: Epoka e Re

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka thënë se Serbia duhet ta dëshmojë me vepra dhe reformat se synon vërtet të anëtarësohet në BE.

Duke folur në një konferencë për media në Beograd, Kallas tha se me zyrtarë të lartë serbë bisedoi për anëtarësimin në BE, dialogun e Brukselit dhe çështje të tjera.

“Është e qartë se anëtarësimi në BE mbetet synim strategjik i Serbisë, megjithatë, dua të theksoj se ne duhet të shohim veprime që e dëshmojnë këtë dhe i mbështesin këto fjalë. Reformat janë ato që tregojnë se si Serbia do të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Kallas.

Ajo theksoi se përparimi duhet të ndodhë “këtu në Beograd” dhe shtoi se hapat e radhës që Serbia duhet t’i ndërmarrë janë shumë të qartë, dhe ata përfshijnë lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe reformat zgjedhore.

“Reformat do të sjellin përfitime të vërteta për qytetarët dhe popullin e Serbisë, siç kanë kërkuar qindra mijëra studentë kanë kërkuar në javët e fundit. Autonomia e universiteteve duhet të respektohet. E ardhmja e Serbisë në BE varet nga vlerat që ajo zgjedh t’i ndjekë”, tha ajo.

Kallas nënvizoi se lidhjet e Serbisë me fqinji e saj, Kosovën, nuk kanë të bëjnë vetëm me përmirësimin e marrëdhënieve, por janë “vendimtare” për të ardhmen e Serbisë në BE.

“Ka ardhur koha të tejkalohet e kaluara dhe të përqendroheni në të ardhmen e përbashkët. Planifikoj t’i ftoj në Bruksel përfaqësuesit e Beogradit dhe Prishtinës së më shpejt për të folur për hapat konkret përpara”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është “domosdoshmëri për të lëvizur përpara” në atë drejtim.

“Tani është koha për riangazhim”, ka shkruar Kallas në llogarinë e saj, në platformën X.

SHARE