DEPUTET I PE-së: NË PODGORICË EKZISTON VULLNETI QË VENDI TË ANËTARËSOHET NË BE

Foto: Luxembourg Times

Andreas Schieder, raportues i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, në një intervistë për Insajder tha se në Tiranë dhe Podgoricë ekziston vullnet i qartë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa në Beograd kjo mungon.

Ai theksoi se Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues dhe ka mbyllur gjashtë prej tyre, ndërsa Shqipëria ka hapur 19 kapituj që nga tetori 2023, krahasuar me 22 kapituj të hapur nga Serbia në dhjetë vjet, dhe asnjë klaster të ri që nga atëherë.

Sipas tij, Mali i Zi dhe Shqipëria po kalojnë me shpejtësi në shiritin e përshpejtuar, ndërsa Serbia ngec për shkak të mungesës së reformave dhe vullnetit politik.

“Reformat janë të vështira, por në Mal të Zi dhe Shqipëri ka përkushtim. Ne kemi nevojë për këtë energji pozitive në rajon,” tha Schieder.

Ai vuri në dukje se problemet janë të ngjashme në të gjitha vendet – krimi i organizuar, korrupsioni, liria e medias – por ajo që i ndan është gatishmëria politike për t’i zgjidhur.

Ndërsa Shqipëria ka bërë reforma të thella në drejtësi dhe Mali i Zi tregon angazhim të fortë, në Serbi, sipas tij, qeveria aktuale po e kthen vendin mbrapa.

Schieder shtoi se çështja e Kosovës nuk është arsyeja e ngecjes së Serbisë, por mungesa e reformave të thella që i kërkohen çdo vendi që synon anëtarësimin në BE.

Ai theksoi se vullneti politik, reformat dhe angazhimi janë çelësi për përparim, dhe në këtë drejtim Mali i Zi mbetet një prej shembujve më pozitivë në rajon.

SHARE