SENATORËT AMERIKANË KËRKOJNË ASOCIACIONIN

Senatorët amerikanë kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Kosova këtë vit të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Senatori Murphy tha se si Kosova, ashtu edhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira.

“Serbia duhet të ndalojë që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendoj se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë. Por, koha ka shumë rëndësi. Është viti kur duhet të kryhet kjo çështje dhe që të mundësohet lëvizja drejt normalizimit, që do të çojë deri te njohja e ndërsjellë. Prandaj, na vjen mirë që dëgjuam për planet tuaja për zbatimin e kësaj marrëveshjeje dhe jemi të gatshëm që t’iu përkrahim”, tha ai pas takimit me Kurtin.

Deklarata të ngjashme ai bëri edhe pas takimit që zhvilloi paraprakisht me presidenten Osmani.

“Na vjen mirë që po e shohim marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë që përfshin njohjen e ndërsjellë të dokumenteve zyrtare, por edhe hapat e vështirë që duhen të ndërmerren nga të dyja palët”, tha Murphy pas takimit me të parën e shtetit.

Presidentja Osmani tha se në takim u ka treguar senatorëve amerikanë të gjitha shkeljet që po i bën Serbia kësaj marrëveshjeje, që përfshin edhe mospengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pas takimit, kryeministri Kurti, kërkoi që Marrëveshja drejt normalizimit të zbatohet tërësisht. “Ato [Marrëveshja bazë dhe Aneksi] përbëjnë avancim të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe janë platformë mundësi për normalizimin e plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime.

Ndërkaq, senatori Peters vlerësoi lartë raportet mes Kosovës dhe SHBA-së dhe premtoi vazhdimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga Uashingtoni.

“Do të vazhdojmë që të shohim mundësitë për të ofruar bashkëpunim në sigurinë kibernetike dhe gjithashtu edhe për përmirësimin e raporteve me forcat ushtarake të SHBA-së dhe për ndërveprimin me forcat e tjera në mbarë Evropën”, tha Peters.

SHARE