E shëndetshme, e lehtë dhe plot shije, receta e supës së prerë me vezë e limon vijon të jetë një ndër traditat më fantastike të kuzhinës shqiptare.
Kjo supë, krahas vlerave kurative që ka kundër virozave, është fantastike për të hapur oreksin e nepsin në vaktin e plotë të drekës por mund të konsumohet edhe gjatë vaktit të darkës.
Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer më sallatë të freskët jeshile, marinuar me limon e vaj ulliri.
Por edhe byrekë të ndryshëm, sidomos ata të përgatitur me gjizë apo me hithra e lakra të egra.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së kësaj supe fantastike tipike shqiptare krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Supës së Prerë me Vezë e Limon
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- 4-5 thela mish pule
- 1.5 litra ujë
- 4 lugë gjelle oriz
- Një kokërr vezë
- 50 gr ose dy lugë gjelle gjalpë të freskët
- Lëngu i një gjysme kokrre limoni
- Majdanoz
- Piper i zi
Përgatitja
Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të kaurdisni me pak gjalpë ose vaj ulliri mishin e pulës dhe më pas ta zjeni derisa sa të zbutet mirë në 1.5 litra ujë me kripe , në mënyrë që lëngu të marrë të gjitha vlerat e duhura të mishit.
Mishin e pulës pasi është zjerë e nxjerrim dhe e lëmë mënjanë.
Në lëngun e mishit hedhim orizin e pastruar e të larë dhe e lëmë të zjejë në zjarr të ngadalshëm për 25-30 minuta.
Kur supa është gati e heqim nga zjarri, e lëmë të ftohet. Në momentin që është ende e vakët, e presim vezë dhe limon.
Për këtë, AgroWeb.org ju këshillon që në një tas prej porcelani të hidhni të verdhën e vezës ose një vezë të tërë, rriheni mirë dhe më pas shtoni lëngun e limonit.
Këtë masë e shtojmë pak nga pak, tek supa duke e trazuar njëkohësisht që në mënyrë që masa të bëhet e njëtrajtshme.
Në fund, supës i hidhet mishi i ndarë në fije-fije ose thela e plota dhe kur serviret spërkatet me pak gjalpë të freskët të skuqur, majdanoz të grirë shumë hollë si dhe piper i zi.