Fluturimi i dy helikopterëve të ushtrisë amerikane mbi sheshin “Nëna Tereza” çeli, ditën e hapur për publikun të stërvitjes “Defender Europe 2023”.
Ky shesh në zemër të Tiranë për 45 vite u përdor nga diktatura komuniste në shpalosjen e arsenalit ushtar e lartësuar vlerat anti-amerikane.
Sot ky shesh është pushtuar nga ushtarakët shqiptarë dhe ata amerikanë për të dëshmuar bashkëpunimin si aleatë të aleancës më të fortë ushtarake në botë NATO-s.
“Defender Europë 2023” ka pjesëmarrjen e 26 vendeve dhe zhvillohet në disa vende të Europës përfshi Kosovën nën moton “Trajnohemi bashkë, stërvitemi bashkë, mbrohemi bashkë”.
Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së mbajtur në sheshin “Nënë Tereza” për nisjen e “Defender Europë 2023” tha se Shqipëria është në nivelin më të lartë të respektit ndërkombëtar.
„Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart në nivelin e respektit ndërkombëtar, sot e ulur në tryezën e këshillit të sigurimit krah për krah SHBA si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës. Ajo merr një profil dhe rol që jo vetëm e ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme por e vë në duke se çfarë pjekurie ka rritur vendi ynë,“ tha Rama.
Për ambasadoren amerikane Yuri Kim “Defender 2023” do të na tregojë se së bashku me aleatët dhe partnerët ne mund të kryejmë çdo mision.
“Në dy vjet, që prej ‘Defender Europe 2021’ bota ka ndryshuar, Rusia nisi një pushtim të plotë dhe brutal ndaj Ukrainës. SHBA, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, Heroi Kombëtar të Shqipërisë dhe madje heroi im vetjak ‘Bashkimi bën fuqinë’”, tha Kim.
Shqipëria mirëpret për të dytën herë stërvitjen më të madhe ushtarake, “Defender Europe 2023″, ku 800 trupa të ushtrisë shqiptare do të stërviten krah mbi 24 mijë trupave amerikane dhe aleate të NATO-s.