Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Delegacioni i Malit të Zi, i kryesuar nga kryeministri Millojko Spajiq, i cili përfshin ekipe nga Ministria e Financave dhe Banka Qendrore e Malit të Zi të kryesuar nga ministri i Financave Novica Vukoviq dhe guvernatorja Irena Radoviq, do të jetë në Uashington nga data 23 deri më 26 prill, ku do të marrin pjesë në takimet e rregullta pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore.
“Në kuadër të takimeve pranverore, delegacioni malazez do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore, kushtuar çështjeve aktuale të politikës ekonomike, fiskale dhe monetare, me theks të veçantë në forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Malit të Zi”, thuhet në deklaratë.
Siç thanë ata, takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore përfaqësojnë një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare ku mblidhen liderë nga e gjithë bota – ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, vendimmarrësit, përfaqësues të sektorit privat, komunitetit akademik dhe shoqërisë civile – për të shkëmbyer mendime mbi sfidat kryesore ekonomike globale.