AVIONI MERR FLAKË NË AEROPORT / 300 PASAGJERË TË TMERRUAR, EVAKUOHEN ME URGJENCË

Foto: FaxWeb

Imazhet e postuara në mediat sociale tregojnë një avion pasagjerësh të Delta Air Lines që merr flakë ndërsa është i ndalur në pistë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Orlandos, cka edhe nxiti evakuimin emergjent të afro 300 pasagjerëve, 10 anëtarëve të ekuipazhit dhe dy pilotëve në bordin e tij.

Avioni i nisur për në Atlanta, pësoi një defekt në motor ndërsa ishte i ndaluar në pistë, në pritje të nisjes.

Administrata Federale e Aviacionit tha se pasagjerët u evakuuan me urgjencë para se ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësve të ndërhynin dhe të arrinin të shuanin zjarrin.

Sipas kompanisë Delta, avioni, një Airbus 330, kishte në bord 282 pasagjerë, 10 stjuardesa dhe dy pilotë.

Linja ajrore tha se ekuipazhet evakuuan kabinën kur flakët u panë në tubin e njërit prej dy motorëve kryesorë të avionit.

Pasagjerët u kthyen në terminal dhe kompania solli avionë shtesë për ti dërguar ata në destinacion.

Administrata federale e aviacionit tha se ka nisur një hetim për incidentin dhe ekipet e specializuara do të ekzaminojnë avionin.

Zjarri në motorin e avionit rrit më shumë frikën mes amerikaneve, pas një serie incidentesh që janë regjistruar muajt e fundit.

Në shkurt, 21 pasagjerë u lënduan pasi një avion i kompanisë Delta u përmbys gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Torontos.

Në janar, disa persona u lënduan pasi një avion i Delta-s ndërpreu ngritjen në Aeroportin Ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës, duke detyruar rreth 200 pasagjerë të evakuoheshin shpejt.

SHARE