NJË SERI AKSIONESH MJEDISORE NË TË GJITHË MALIN E ZI ME RASTIN E DITËS SË TOKËS

Ministria e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut organizoi një sërë aksionesh mjedisore në disa qytete të Malit të Zi me rastin e 22 Prillit – Ditës së Tokës.

Aksionet janë organizuar në bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, deponitë “Livade” dhe “Mozhura”, ndërmarrjet komunale, komunën e Tuzit dhe sektorin joqeveritar.

Drejtori i Drejtorisë për Ekologji në Ministrinë e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Ballsha Bajagiq, tha se sivjet Dita e Tokës, me temën “Planeti kundër plastikës”, inkurajon individët të ndërmarrin hapa konkretë drejt reduktimit të gjurmës së tyre mjedisore.

“Prandaj sot, duke organizuar pastrimin e shtratit të lumit Cem, hartografimin e daljes së ujërave të zeza në Zetë, gjelbërimin e institucioneve arsimore në disa qytete malazeze, rregullimin e oborrit rreth Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe aksione të tjera të shumta në disa qytete malazeze, shënuan këtë ditë të rëndësishme për planetin tonë Tokë”, tha Bajagiq.

Ai ka rikujtuar se para pak kohësh është miratuar Ligji i ri për menaxhimin e mbeturinave, i cili rregullon shumë çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe problemin e plastikës.

Ai tha se është detyrë e të gjithëve që t’i respektojnë ligjet dhe t’i zbatojnë ato në mënyrë efikase dhe konsekuente.

„Le të jetë Dita e Tokës një kujtesë se çdo veprim është i rëndësishëm dhe se së bashku mund të krijojmë ndryshime pozitive për planetin tonë”, ishte mesazhi i drejtorit të Drejtorisë për Ekologji në Ministrinë e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut, Ballsha Bajagiq.

SHARE