MARTINOVIQ: MBËSHTETJE MBI GJASHTË MILIONË EURO PËR PROJEKTE NË HERCEG NOVI, TIVAR DHE TUZ

Ministria e Turizmit, Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut ka mbështetur projektet e furnizimit me ujë, trajtimit të ujërave të zeza dhe menaxhimit të mbeturinave për komunat Herceg Novi, Tuz dhe Tivar në vlerë të përgjithshme prej mbi gjashtë milionë euro, njoftoi ministri Vlladimir Martinoviq.

Ministria mbështeti përgatitjen e Studimit për vendosjen e përzgjedhjes primare të mbetjeve komunale në Tivar, projektin kryesor për ndërtimin e oborrit të riciklimit dhe zgjerimin e qendrës ekzistuese të riciklimit, si dhe zbatimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis, në shumën 170.000,00 euro.

Në komunën e Herceg Novit, problemi shumëvjeçar i Impiantit Komunal të Trajtimit të Ujërave të Zeza do të zgjidhet me zbatimin e projektit të rindërtimit.

Ky projekt infrastrukturor dhe ekologjik ka një rëndësi të madhe për turizmin e Herceg Novit dhe Malit të Zi në përgjithësi, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e madhe të këtij qyteti në trafikun total turistik.

Projekti i rikonstruksionit, vlera e të cilit është 4,897,170.00 euro dhe i mbështetur nga Ministria, paraqet një hap kyç drejt stabilizimit dhe përmirësimit të funksionimit të impiantit, i cili do të mundësojë përmbushjen e standardeve strikte ligjore në lidhje me trajtimin e ujërave të zeza.

Ministria mbështeti projektin për përshtatjen e rrjetit të furnizimit me ujë në vendbanimet Milesh i poshtëm dhe Milesh i epërm, si dhe rindërtimin e tubacioneve që furnizojnë vendbanimet Rakiq dhe Dheu i Zi.

Vlera e projektit është 1.141.614.79 euro.

Me këtë projekt është planifikuar të përmirësohet ndjeshëm cilësia e jetës së popullatës vendase, duke siguruar furnizim të sigurt me ujë në këto vendbanime dhe pritet që ky investim të ndikojë pozitivisht në tërheqjen turistike të rajonit.

Duke marrë parasysh faktin se projektet e përmendura i konsideron të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së jetës, Ministria iu përgjigj pozitivisht kërkesave të komunave Herceg Novi, Tivar dhe Tuz dhe ia ka përcjellë për zbatim të mëtutjeshëm Drejtorisë për Projekte Kapitale, e cila do të shpallë tenderin në periudhën më të afërt të mundshme.

SHARE