PDS-ja I KA DHËNË DRITËN E GJELBËR QEVERISË SË PAKICËS

Partia Demokratike e Socialistëve mbrëmë edhe zyrtarisht i ka dhënë dritën e gjelbër Qeverisë së pakicës sepse, siç ka thënë lideri i kësaj partie Millo Gjukanoviq, janë përmbushur shumica e kërkesave të tyre. Pas mbledhjes së Këshillit qendror, Gjukanoviq ka kumtuar se funksionin e kryetarit të Kuvendit me përgjegjësi mund ta ushtrojë kandidati nga radhët e Partisë Socialiste Popullore dhe ka përsëritur se është një dëm që në qeverinë e pakicës nuk do të jenë Socialdemokratet. Kërkesën e kryeministrit Zdravko Krivokapiq, që më 5 qershor të caktohet mbledhja e Kuvendit, në të cilën do të zgjidhej Qeveria kalimtare, Gjukanoviq e konsideron humbje të kohës dhe durimit të opinionit të Malit të Zi, si dhe të atij ndërkombëtar. Ai ka përsëritur se Qeveria e ardhshme do të duhej të zgjasë një vit.

SHARE