Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka njoftuar të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për veprimet e fundit të institucioneve malazeze në luftën kundër krimit.
Abazoviq dhe Escobar shprehën kënaqësinë e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale sipas standardeve demokratike, pa tensione. Në takimin mes Abazoviqit dhe Escobarit, u konstatua se Mali i Zi me rolin e tij proaktiv, kontribuon në mënyrë konstruktive në stabilizimin e kushteve rajonale dhe ruajtjen e perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë kuptim, Abazoviq përshëndeti përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur pas takimit të mbajtur në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Abazoviq theksoi se Mali i Zi është i gatshëm të kontribuojë në arritjen e një zgjidhjeje, e cila do të hapte një rrugë të sigurt për të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndër të tjera, kryeministri i njoftoi përfaqësuesit e administratës amerikane në Departamentin e Shtetit për veprimet e fundit të institucioneve malazeze në luftën kundër krimit.
“Ata ishin bashkërisht të kënaqur me faktin se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale të mbajtur së fundmi në Mal të Zi u zhvillua në mënyrë civile, në përputhje me standardet demokratike, me mungesën e tensioneve sociale që karakterizonin ciklet e mëparshme zgjedhore”, përfundon ai.