VUKSANOVIQ DORËZOI KANDIDATURËN PËR PRESIDENTE

Kandidatja e Partisë Social Demokratike të Malit të Zi, Draginja Vuksanoviq, dorëzoi sot në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, nënshkrimet mbështetëse për kandidaturën e saj në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të zhvillohen më 15 prill 2018.

Vuksanoviq, zyrtarisht, deri tani është  kandidati i katërt për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në MZ.

Draginja Vuksanoviq, është femra e parë që do të kandidojë për presidencën e Malit të Zi që nga futja e shumëpartiakësisë, e cila së bashku me kolegët e saj të partisë, i dorëzuan Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve rreth nëntë mijë nënshkrime mbështetëse.”Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.

Faleminderit të gjithëve që mbështetën kandidaturën time. Ne duhet ta forcojmë Malin e Zi dhe ta përshpejtojmë rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Do të kujdesemi me vetëdije dhe me përgjegjësi për resurset shtetërore. Në realizimin e idealeve tona ne kemi nevojë për guxim.

Ne do të fitojmë, sepse ne që ja duam të mirën këtij vendit jemi shumë më tepër dhe ata që duan privilegje për veten dhe familjet e tyre janë në Malin e Zi, shumë më pak “, tha Vuksanoviq.

E pyetur se a do të tërheqë kandidaturën e saj në favor të kandidatit të shumicës së partive opozitare, Mlladen Bojaniq, Vuksanoviq, deklaroi se nuk do ta bëj këtë gjë, sepse sipas saj tërheqja e saj do të thotë fitore e sigurt për kandidatin e PDS-së.

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi do të mbahen më 15 prill , ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave është deri më 26 mars.

Përveç Vuksanoviq, kandidaturën për president të shtetit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhor e kanë dorëzuar edhe lideri i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit në MZ, Hazbija Kallaç, kandidati i pavarur Vasillije Milliçkoviq dhe lideri i Partisë së Mali të Zi të Vërtetë, Marko Millaçiq.

SHARE