Si ta dalloni mjaltin e vërtetë dhe cilësor

Mjalti, ai i miri dhe natyrali është një produkt i kërkuar dhe i çmuar për të gjithë shqiptarët. Ky nektar i ëmbël shpesh është cilësuar si “ari i lëngshëm” dhe si rrjedhojë çmimet e tij mund të jenë të shtrenjta. Megjithatë, ndodh shpesh që çmimi i mjaltit në treg nuk reflekton cilësinë e mjaltit që njerëzit blejnë dhe konsumojnë.

Këshilla për ta bërë më të lehtë dallimin e mjaltit cilësor nga ai falso.

  • Mjalti i vërtetë ka grimëza të vogla brenda tij, që janë pjesë e polenit, hojeve ose bletëve dhe që janë të ngrënshme.
  • Mjalti i rremë është tepër i kulluar për të qenë i vërtetë.
  • Mjalti i vërtetë është i dendur dhe i trashë, ndërsa ai i rremi është i hollë.
  • Mjalti i vërtetë ka një aromë të ëmbël dhe unike, ndërsa mjalti i rremë nuk ka një aromë specifike ose ka mban një erë të thartë.
  • Mjalti i vërtetë nuk ngjit si zamkë kur e fërkon mes gishtave. Ai i rremi nga ana tjetër është plot me ëmbëlsues të rremë që e bëjnë të ngjitshëm.
  • Shija e mjaltit të vërtetë është e lehtë dhe shuhet pas disa minutash. Shija e mjaltit të rremë është shumë e ëmbël dhe zgjat për shumë kohë.
  • Mjalti i vërtetë nuk formon bulëza kur ngrohet, por karamelizohet. Mjalti i rremë formon bulëza dhe nuk karamelizohet kurrë.

Mundohuni të blini mjaltë direkt nga një bletërritës i besueshëm. Tek ata keni mundësinë ta provoni mjaltin dhe të merrni përgjigje të sakta për çdo pyetje në lidhje me mjaltin në shitje.
Kujdes me etiketën

Mjalti i vërtetë duhet të përmbajë vetëm një përbërës-mjaltë! Disa prodhues ose kompani shtojnë përbërës të tjerë në listë, shije, ëmbëlsues, aditivë, dhe elementë artificialë. Ai nuk është mjaltë i vërtetë.

Disa prej aditivëve të shtuar përfshijnë: shurup misri, niseshte, glukozë ose shurup sheqeri. Produktet që mbajnë emërtime jo fort të qarta në etiketë janë qartësisht shumë larg mjaltit të vërtetë.

SHARE