Presidenti amerikan, Donald Trump, e jetësoi Bordin e Paqes, një nismë që ai thotë se synon të zgjidhë konfliktet globale dhe të promovojë stabilitet e paqe “në zonat e prekura apo të kërcënuara nga konfliktet”.
Sipas raportimeve të Reuters, Trump u ka dërguar ftesa rreth 60 vendeve për t’u bashkuar me këtë nismë. I njëjti raport thekson se anëtarësimi i përhershëm në këshill parashikohet për vendet që kontribuojnë me 1 miliard dollarë, ndërsa Trump do të mbajë postin e kryetarit për jetë.
Gjatë fjalimit të tij, Trump deklaroi se administrata e tij ka ndihmuar në zgjidhjen e tetë luftërave dhe se po përgatitet të bëjë të njëjtën gjë me një konflikt tjetër. Ai e quajti shpalljen e këshillit një “ditë shumë emocionuese” dhe theksoi se organi i ri do të bashkëpunojë me institucione ekzistuese ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.
Në ceremoninë nënshkruese të nismës ndërkombëtare, që u zhvillua në Davos të Zvicrës, morën pjesë Kosova, Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani.
Shtëpia e Bardhë ka dërguar ftesa në më shumë se 50 vende. Anëtarët janë ftuar që të kenë një mandat prej tre vjetësh. Pas përfundimit të këtij mandati, ata do të vendosin nëse duan të jenë anëtarë të përhershëm dhe për një status të tillë duhet të paguajnë 1 miliard dollarë.
Përveç shteteve që morën pjesë në ceremoninë në Davos, edhe Shqipëria, Izraeli, Egjipti, Bjellorusia dhe Vietnami janë pajtuar që të bëhen pjesë e Bordit.








