OSMANI: KUR AMERIKA UDHËHEQ, PAQJA ËSHTË GJITHMONË MË E SIGURT

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar sot Kartën e Bordit të Paqes në Davos, duke përfaqësuar Kosovën si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota në këtë iniciativë ndërkombëtare për paqen. Ceremonia u mbajt në prani të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Presidentja Vjosa Osmani në Facebook ka shkruar se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, veçanërisht ato që udhëhiqen nga aleati strategjik i Kosovës, SHBA, forcon sovranitetin dhe pozitën ndërkombëtare të vendit.

Ajo bëri të ditur se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për miratimin përfundimtar nga përfaqësuesit e popullit.

“Sot, në Davos, në emër të Republikës së Kosovës, kam nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, u shpreh Osmani. 

Presidentja Osmani ka falenderuar Presidentin Trump për lidershipin e tij dhe për ftesën që sië ka shkruar ajo, ta përfaqësoj Republikën e Kosovës në këtë moment historik. “Kosova do të jetë në shërbim të paqes, sot e përherë”, ka shkruar Osmani.

SHARE