Foto: Ilustrim
Me rastin e Ditës së Gazetarëve në Malin e Zi, institucioni i Avokatit të Popullit ka uruar gazetarët për këtë ditë dhe ka theksuar rëndësinë e rolit të tyre në mbrojtjen e interesit publik, avancimin e proceseve demokratike dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Në një komunikatë për media, Avokati i Popullit bëri thirrje që autoritetet, politikanët, punëdhënësit dhe publiku i gjerë të tregojnë më shumë respekt për gazetarët, të shmangin presionet dhe kërcënimet, dhe të krijojnë kushte për një punë të lirë, profesionale dhe të dinjitetshme.
Një shqetësim i veçantë është rreziku ndaj grave gazetare, të cilat shpesh ballafaqohen me kërcënime, ngacmime online, diskriminim dhe dhunë bazuar në gjini.
Avokati i Popullit nënvizoi se mbrojtja e gazetarëve nuk është vetëm çështje e sigurisë së një profesioni, por e drejta themelore e opinionit për informacion, pjesëmarrje në jetën publike dhe llogaridhënie të institucioneve.
Ai vlerësoi vendimin e qeverisë për krijimin e Grupit Ndërministror për sigurinë e gazetarëve, por theksoi se janë të nevojshme përpjekje të vazhdueshme dhe të përqendruara për të garantuar sigurinë dhe autonominë profesionale të gazetarëve.









