Foto: AP
Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me shtetet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
Në ceremoninë e nënshkrimit në Davos të Zvicrës, anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thanë se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme.
Marrëveshja ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave. Produktet me origjinë nga Kosova do të mund të eksprotohen në vendet e EFTA-s dhe kompanitë vendore nuk do të kenë nevojë që të paguajnë tarifë doganore për to.
Deri më tani, prodhuesit vendorë janë detyruar që të paguajë deri në 10 për qind tarifë shtesë doganore.
Marrëveshja u arrit pas më shumë se dy vjetësh negociata dhe sipas kryesueses së EFTA-s, Cecilie Myrseth, Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, ka përfshirë edhe shërbimet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes shtetit të tij dhe anëtarëve të EFTA-s.
“Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”, tha Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Kryeministri kosovar tha se është i bindur se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët.
Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, tha se kjo marrëveshje është arritje e madhe për integrimin e Kosovës në sistemin global.
“Jam e bindur se kjo do të shtyjë përpara rritjen ekonomike, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe qytetarët në të dyja palët”, tha ajo.