Kërkohet fond emergjent për dëmet e shkaktuara nga vërshimet

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar të dielën, më 22 janar, nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë një fond emergjent komunave.

Kjo kërkesë e AKK vjen pas vërshimeve që përfshin disa komuna të Kosovës gjatë kësaj jave, që shkaktuan dëme në ekonomitë familjare, bizneset, infrastrukturë rrugore e të tjera.

Nga vërshimet më të prekura janë komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut, Istog dhe Klinë.

“Vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore. Bordi i AKK-së kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre”, thuhet në një njoftim për media të AKK-së.

Ndërkohë, në komunat e prekura nga vërshimet janë formuar komisione për evidentimin e dëmeve.

Komuna e Skenderaj ka ofruar për qytetarët e prekur nga vërshimet produkte ushqimore dhe higjienike.

Sipas kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura, dëmet nga vërshimet janë shumë të mëdha, andaj ai gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 22 janar, kërkoi përkrahjen nga niveli qendror për riparimin e dëmeve.

Përveç Skenderajt, Kurti vizitoi edhe Mitrovicën. Ai tha se institucionet po punojnë për të sanuar dëmet e shkaktuara, duke premtuar ndihmën e institucioneve.

Sipas njoftimit të Qeverisë, në Skenderaj janë dërguar cisterna me ujë të pijes, por edhe batanije dhe ka nisur edhe ofrimi i tri shujtave për 500 persona. Ndërkaq, në Mitrovicë të Jugut, rreth 100 persona janë zhvendosur nga shtëpitë dhe janë akomoduar në vende të ndryshme. Edhe në këtë komunë janë dërguar cisterna me ujë të pijes, teksa zjarrfikësit po vazhdojnë punën për hapjen e kanaleve anësore për qarkullimin e ujërave dhe rënien e nivelit të ujit.

Ndërkaq, Komuna e Klinës ka ftuar qytetarët që të paraqiten në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente nga data 23 deri me 30 janar për plotësimin e aplikacioneve për vlerësimin e dëmeve.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se kanë marrë përsipër që brenda mundësive financiare të bëhet kompensimi i dëmeve, por sipas tyre, në një gjendje të tillë, presin reflektim e mbështetje edhe nga niveli qendror.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.

Sipas Institutit reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim deri më 25 janar.

SHARE