BE: “GREEN PASS” ËSHTË E VLEFSHME 9 MUAJ PËR UDHËTIMET NË EVROPË

Komisioni i BE-së ka miratuar rregullat në lidhje me certifikatën digjitale të BE-së të Covid, duke vendosur një periudhë detyruese prej 9 muajsh për certifikatat e vaksinimit për udhëtime në BE. Kështu ka bërë të ditur një zëdhënës i Komisionit Evropian. “Një periudhë e qartë dhe uniforme pranimi për certifikatat e vaksinimit do të sigurojë që masat e udhëtimit të vazhdojnë të jenë të koordinuara, siç kërkohet nga Këshilli Evropian pas takimit të fundit më 16 dhjetor,” shtoi ai. Rregullat e reja do të sigurojnë që kufizimet të bazohen në provat shkencore të disponueshme.” “Koordinimi i vazhdueshëm është thelbësor për funksionimin e tregut të vetëm dhe do t’u japë qartësi qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së tyre për lëvizje të lirë”, sqaron Komisioni Evropian. “Certifikata digjitale Covid e BE-së është një histori suksesi në BE dhe vazhdon të lehtësojë udhëtimin e sigurt për qytetarët në të gjithë Bashkimin Europian gjatë pandemisë. 807 milionë certifikata digjitale janë lëshuar në BE deri më tani. Certifikata digjitale Covid e BE-së ka vendosur një standard global. Deri më sot, 60 vende dhe territore në pesë kontinente i janë bashkuar sistemit. Rregullat e reja për udhëtimin brenda Bashkimit harmonizojnë rregullat e ndryshme midis shteteve anëtare”, shtoi ai. “Kjo periudhë vlefshmërie merr parasysh indikacionet e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve që rekomandohen doza përforcuese jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të kursit të parë të vaksinimit. Certifikata do të mbetet e vlefshme për një periudhë tre muaj të tjerë përtej gjashtë muajve për të siguruar që Fushatat Kombëtare të vaksinimit mund të përshtaten dhe qytetarët të kenë akses në doza përforcuese”, thekson ekzekutivi i BE-së.

SHARE