Në Tiranë është mbajtur takimi i tretë i liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev zhvilluan diskutimet me dyer të mbyllura, ndërkohë që i pranishëm për herë të parë në takim është edhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i cili i është bashkuar nismës për krijimin e “Mini-Shengeni” .
Në konferencën e përbashkët pas takimit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se kjo iniciativë është bashkëpunuese, në të mirë të rajonit dhe shtoi se mospjesëmarrja e Kosovës është “e pakuptueshme”. Kryeministri Rama u shpreh se liderët janë mbledhur së bashku në përpjekjet e tyre për të thelluar bashkëpunim rajonal në të mirë të së ardhmes së qytetarëve të vendeve që përfaqësojnë.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, duke folur për tërmetin e nëntorit që goditi Shqipërinë, e mori si shembull nevojën për ndihmën e fqinjëve për të siguruar rehabilitimin dhe përballjen e pasojave. Ai theksoi se Mali i Zi është i hapur për bashkëpunim rajonal dhe mbështet iniciativat që mund të shtyjnë drejt Bashkimit Evropian.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se bashkëpunimi rajonal duhet të bëhet sa më intensiv, nënvizoi se bisedimet e takimit të së shtunës ishin në funksion të intensifikimit të këtij bashkëpunimi. Ai shtoi se kjo iniciativë do të çojë në tërheqjen e investitorëve të huaj, në rregullimin e lejeve të punës mes vendeve që janë pjësë e iniciativës, duke përafruar rregulloret dhe rregullimin e tregut të punës.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se bashkëpunimi i vendeve të rajonit do të ndikojë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, duke ua lehtësuar qarkullimin dhe do të ketë efekt në ngritjen ekonomike.
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm të thellimit të bashkëpunimit midis vendeve, kryesisht në fushën ekonomike dhe lëvizjen e lirë. Siç kumtohet, takimi i ardhshëm i liderëve pritet të mbahet në fillim të muajit shkurt të vitit 2020 në Beograd.