SPAJIQ: MALI I ZI DO TA ASHPËRSOJË REGJIMIN E VIZAVE PËR SHTETASIT RUSË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, njoftoi të premten se Podgorica “shumë shpejt” do ta ashpërsojë regjimin e vizave për shtetasit rusë, në përputhje me politikën e vizave të Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se Mali i Zi e ndjek plotësisht politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë masat ndaj Rusisë. Duke ndjekur këtë politikë, Mali i Zi vendosi sanksione ndaj Rusisë në vitin 2022, kur Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Megjithatë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar disa herë Podgoricën se harmonizimi i politikës së vizave është thelbësor për përparimin në bisedimet për anëtarësim dhe për qasjen në mjetet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Duke folur për integrimet evropiane, Spajiq vlerësoi se është arritur një përparim i rëndësishëm, por se mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

Ai theksoi se është e rëndësishme që “të gjitha 27 shtetet anëtare të besojnë se është në interesin e tyre kombëtar që Mali i Zi të anëtarësohet në BE”. 

Ai veçoi nevojën për forcimin e marrëdhënieve me vendet që janë më të kujdesshme ndaj zgjerimit, si dhe rolin qendror të sundimit të ligjit.

Spajiq rikujtoi se Mali i Zi ka mbyllur kapitullin negociues 5 për prokurimet publike, por theksoi se reformat e mëtejshme janë të domosdoshme.

“Duhet të tregojmë se punojmë mirë në fushën e sundimit të ligjit”, shtoi Spajiq, duke nënvizuar se Mali i Zi duhet të jetë teknikisht i gatshëm për anëtarësim.

“Duam t’i kontribuojmë BE-së, e jo të paraqesim barrë”, tha Spajiq.

SHARE