KOS U KËRKON VENDEVE TË BALLKANIT TË PUNOJNË MË SHUMË NË SIGURIMIN E FONDEVE NGA PLANI I RRITJES

Pietro Naj-Oleari, European Parliament, Information General Directoratem, Web Communication Unit, Picture Editor and photographer. E-mail: pietro.naj-oleari@europarl.europa.eu

Foto: KE

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka përsëritur të premten në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, se Evropa nuk mund të jetë e sigurt pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj dhe që blloku evropian ka gabuar në të kaluarën që nuk ka punuar në këtë drejtim.

“Shtëpia e juaj, Evropa po ju pret. Ju jeni pjesë e Evropës, ne vetëm duhet ta bëjmë këtë me procedurë institucionale”, ka thënë Kos, në një tryezë të përbashkët diskutimi mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe saj, lidhur me Planin e Rritjes së BE-së për këtë rajon.

Pjesë e takimit, kanë qenë liderë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

Kos ka rikujtuar se Plani i Rritjes ka dy vite që është formalizuar dhe që kanë mbetur dhe dy vjet për ta finalizuar ndarjen e gjithë fondeve të parapara në vlerë prej 6 miliardë eurosh.

Prej tyre, 2 miliardë euro janë fonde të pakthyeshme, ndërsa 4 miliardët tjerë jepen në formën e kredive të volitshme.

Përmes kësaj pakete, BE-ja synon t’i përafrojë ekonomitë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Duke folur në këtë drejtim, ajo e ka përmendur se dy shtete ende nuk e kanë nisur procesin e reformave, dhe kjo duket se ka qenë referencë për Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, andaj ka bërë thirrje që të punojnë më shumë.

“Kemi një afat veçanërisht të rëndësishëm që po afron. Në qershor do të kemi nga rundi i dytë i raportimit, skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen pothuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde prej të cilave duhet të përfitojnë qytetarët tuaj, me të cilat mund të ndërtohen linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”, ka thënë mes tjerash Kos, duke iu drejtuar të gjitha vendeve.

SHARE