Foto: Olsi Shehu / AA
Në Shqipëri është mbajtur një protestë me moton “Për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”, pas vrasjes së një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij disa ditë më parë.
Protesta e organizuar nga prindër dhe aktivistë të shoqërisë civile në formën e një marshimi, ka mbledhur së bashku dhjetëra qytetarë, të cilët kanë kërkuar nga institucionet më shumë mbrojtje dhe siguri për fëmijët.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht pranë Shkollës Nëntëvjeçare “Fan Noli” në Tiranë, për të marshuar më pas drejt selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Me pankartat me mbishkrimet “Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, “Fëmijët duhet të jetojnë, jo të vriten”, “14 vjet ëndrra të shuara, kush mban përgjegjësi”, “Heshtja jonë ushqen padrejtësinë”, protestuesit theksuan se institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për ngjarjen ku mbeti i vrarë një nxënës.
Protestuesit hodhën bojë të kuqe para selisë së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ndërkohë disa prej tyre bënë thirrje edhe për dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Sipas organizatorëve, një nga qëllimet e organizimit të protestës ishte edhe sensibilizimi i institucioneve për marrjen e masave shtesë për të garantuar sigurinë në ambientet e shkollave.