Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Fotografi nga arkivi.
Shtetet e Bashkuara më 20 nëntor vendosën veto ndaj një rezolute të Kombeve të Bashkuara që kërkonte armëpushim të menjëhershëm të luftës në Gazë.
Uashingtoni tha se vendosi veto pasi armëpushimi nuk ishte i lidhur me lirimin e menjëhershëm të pengjeve që u morën nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi me 14 vota për dhe 1 kundër rezolutës së sponsorizuar nga 10 anëtarë të Këshillit të përbërë nga 15 shtete, por nuk u miratua për shkak të vetos amerikane.
Rezoluta, që u nxor në votim, kërkonte “një armëpushim të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm që do të respektohej nga të gjitha palët dhe rikthesonte kërkesën për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të të gjitha pengjeve”.
Ambasadorja e Gaianës, Carolyn Rodrigues, që prezantoi rezolutën në emër të shteteve të zgjedhura, tha se rezoluta “u hartua për shkak të shqetësimit të thellë të Këshillit lidhur me situatën katastrofale humanitare në Gazë, përfshirë atë që po ndodh në veri të Gazës dhe për shkak të nevojës për përgjigje urgjente për këtë situatë”.
Zëvendësambasadori amerikan, Robert Wood, tha se SHBA-ja ka punuar për javë të tëra për të shmangur veton dhe shprehu keqardhje që një gjuhë kompromisi nuk u pranua.
“Ne e kemi bërë të qartë gjatë negociatave se nuk do të mbështesim një armëpushim pa kushte që dështon të përfshijë lirimin e pengjeve”, tha ai.