OSMANI: RREZIKIMI I PARTNERITETIT ME ALEATËT E CENON VETË MBROJTJEN E KOSOVËS

Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin vjetor para deputetëve bëri thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve me vendet aleate, duke thënë se cenimi i raporteve me këto vende e cenon vetë Kosovën. Ajo e cilësoi si të pabalancuar dialogun me Serbinë dhe kërkoi trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë për respektimin e të drejtave të shqiptarëve atje.

Duke folur të enjten në një seancë parlamentare të bojkotuar nga dy prej tri subjekteve më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani në Kuvendin e Kosovës.

Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themeltar i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e republikës sonë”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha gjatë adresimit të saj se “asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”.

Ajo i bëri thirrje spektrit politik të këtë angazhim të madh vitin e ardhshëm për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

“Ka disa gjëra që kërkojnë vëmendje dhe angazhimin e të gjithëve gjatë vitit 2025. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, avancimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO duhet të jenë suksese të vitit 2025”, tha ajo.

Gjatë adresimit, Osmani tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011, ka qenë “fatkeqësisht i pabalancuar” dhe bëri thirrje për reflektim.

SHARE