Foto: Kryeministria e Shqipërisë
Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe me temë “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” ka mbledhur së bashku në Shqipëri në prag të Ditës së Alfabetit zyrtarë të lartë, drejtues të institucioneve arsimore dhe studiues nga disa vende.
I organizuar në formën e një forumi, ceremonia e hapjes është mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci dhe zyrtarëve të tjerë.
Në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes, kryeministri Rama u shpreh se ky kuvend kombëtar i gjuhës shqipe, mund të duket modest në formatin e vet, por sipas tij është përmbajtjesor për disa arsye të rëndësishme.
“Një përkatësi që është e jona, që askush nuk na e heq dot dhe nga askush tjetër nuk na vjen kërcënimi, përveçse nga vetvetja, lidhur me këtë përkatësi, por shumë shpejtë do të jetë dhe një gjuhë zyrtare e BE-së, ku në mos gjuha më e lashtë e familjes së kombeve evropiane, shqipja me siguri do të rreshtohet ndër më të rrallat dhe më të veçantat e gjuhëve të BE-së”, u shpreh Rama.
Rama thekosi se ky kuvend vjen dhe si produkt i Samitit të Tretë të Diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat.
Në fjalën e saj ministrja Manastirliu tha se shpallja e datës 22 nëntor, Dita e Alfabetit, si festë kombëtare, si dhe viti 2024 si vit i gjuhës shqipe, pasqyron qartazi rëndësinë që i kanë dhënë çështjes së ruajtjes, promovimit dhe zhvillimit të gjuhës kombëtare.
“Për ne, shqiptarët, gjuha përfaqëson shpirtin e kombit dhe rrugëtimin historik të qytetërimit tonë. Gjithçka që kemi jetuar si popull, sot mund ta shohim të dëshmuar përmes gjuhës. Ky kuvend na bën bashkë për të mbrojtur, për të forcuar dhe për t’u krenuar me trashëgiminë tonë gjuhësore”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja Nagavci u shpreh se gjuha është thelbi identitar i çdo kombi dhe epiqendra e kulturës dhe traditës së një shoqërie.
“Shqipja është një rast i rrallë i një gjuhe të vogël e mbijetuar mrekullisht, përkundër të gjitha stuhive të kohës me të cilat u përball. Fatmirësisht, sot shqiptarët në të gjitha trojet jetojnë në liri dhe demokraci, një moment ky i përkryer për të punuar së bashku për gjuhën tonë shqipe”, theksoi Nagavci.
Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë do të zhvillohet më 21-22 nëntor.
Ky aktivitet është konceptuar si një forum diskutimi për sfidat dhe mundësitë e gjuhës shqipe në epokën moderne, duke mbledhur zyrtarë, studiues, pedagogë dhe studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në shkurt të këtij viti shpalljen si festë zyrtare të Ditës së Alfabetit, që shëmohet më 22 nëntor.