GUTERRES U BËN THIRRJE TË GJITHA PALËVE TË NDËRMARRIN HAPA DREJT OBJEKTIVAVE TË KLIMËS

Foto:  APA | António Guterres, UN Secretary-General

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të ndërmarrin hapa drejt objektivave klimatike.

Guterres bëri një deklaratë për media në kuadër Konferencës së 29-të të Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.

Pasi e nisi fjalimin e tij duke deklaruar se ishte kthyer nga Samiti i G20 i mbajtur në Brazil, Guterres tha se këtu u diskutua për “COP29”. Guterres rikujtoi se udhëheqësve të G20 u bëri thirrje që në COP29 të garantohet një objektiv “i ri dhe ambicioz” për financimin e klimës.

“Në COP29 po punohej mbi një pikë të përbashkët. Unë shoh entuziazëm për një marrëveshje. Në anën tjetër ka edhe dallime serioze”, tha Guterres.

Pasi tërhoqi vëmendjen se “dështimi” nuk është opsion, Guterres tha se kjo do të rrezikonte si veprimet në të ardhmen e afërt ashtu edhe përgatitjet për një plan të ri veprimi për klimën.

Kreu i OKB-së bëri të ditur se në Baku është e nevojshme marrëveshja për një objektiv të ri “financimi klimatik”.

Duke nënvizuar se bashkëpunimi ndërkombëtar i fokusuar në Marrëveshjen e Parisit për Klimën është “i domosdoshëm” për qëllimet klimatike, Guterres tha se është e rëndësishme të kufizohet ngrohja globale në një mesatare prej 1.5 gradë celsius, që është objektivi i kësaj marrëveshjeje.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të ndërmarrin hapa drejt objektivave klimatike. “Nevojat janë urgjente, përfitimet janë të mëdha, koha është e kufizuar”, tha Guterres.

SHARE