Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën në Beograd se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk e ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
“Unë llogaris në të dyja palët për të ulur tensionet dhe për të përmbajtur nga përshkallëzimi i veprimeve”, tha Stoltenberg në një konferencë për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën paradite.
Stoltenberg mbërriti në Beograd pas një vizite që pati të hënën në Prishtinë, ku theksoi se aleanca ushtarake po e shqyrton mundësinë nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.
Stoltenberg, po ashtu, tha në Beograd se autorët e sulmit në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë.
“Ne e mirëpresim faktin që Serbia është e gatshme të bashkëpunojë”, tha Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Vuçiqin.
Stoltenberg tha se temë e bisedës me Vuçiqin ishte edhe sulmi ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gjatë protestës së komunitetit serb në Zveçan, në fund të majit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se “mirëpret dhe mbështet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ky do të ishte çelësi i normalizimit të marrëdhënieve. U bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së, kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe stabilitetit të përhershëm”, tha ai.
Ai tha se me Vuçiqin ka biseduar edhe për rifillimin e stërvitjeve të përbashkëta të Forcave të Armatosura të Serbisë me forcat e NATO-s.
“Kjo nuk cenon neutralitetin e Serbisë. Serbia e ka bërë të qartë se ajo mbetet ushtarakisht neutrale, jashtë blloqeve ushtarake”, vlerësoi ai, duke shtuar se Serbia është një aktor i rëndësishëm rajonal dhe një partner afatgjatë i NATO-s dhe se shembull i mirë i bashkëpunimit është pjesëmarrja e Serbisë në programin Partneriteti për Paqe.