Qeveria e Kosovës tha se është e shqetësuar me propozimin e Komisionit Evropian që vizat të hiqen për bartësit e pasaportave të Serbisë, të cilët banojnë në territorin e Kosovës.
Ekzekutivi kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta rishqyrtojë këtë propozim.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ky propozim i KE-së për pasaportat që lëshohen “nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese serbe” nuk është diskutuar me Qeverinë e Kosovës.
“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, tha Bislimi.
Ai tha se Qeveria e Kosovës fton BE-në që këto dokumente “t’i trajtojë si të paligjshme ashtu siç trajton pjesën tjetër të dokumentacionit paralel”.
Propozimi i KE-së u argumentua me faktin se liberalizimi i vizave do të nisë së zbatuari më 1 janar të vitit Por, Bislimi tha se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk nënkupton që pjesëtarët e komunitetit serb do të mbesin pa liberalizim, pasi ata, sipas tij, mund të pajisjen me pasaporta të lëshuara nga Kosova.
“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29 për qind”, tha Bislimi, duke shtuar se këtë kundërshtim e kanë adresuar në instancat më të larta të BE-së.