Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë ka shkaktuar vdekjen e dy personave, ndërkohë kanë vazhduar reshjet e dendurat të shiut dhe stuhitë edhe gjatë orëve të natës. Pas operacioneve të kërkimit, janë gjetur trupat e pajetë të babë e bir, të cilët gjatë ditës së djeshme i mori rrjedhja e ujit në automjetin më të cilin udhëtonin në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe, në Qarkun e Shkodrës. Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, trupat e pajetë janë gjetur pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm. Shqipëria është përfshirë nga moti i keq në orët e fundit, me reshje të dendura shiu dhe stuhi, që ka vazhduar edhe gjatë orëve të natës. Situata më problematike është në Qarkun e Shkodrës, ku ka patur edhe përmbytje në disa lagje dhe në sipërfaqet bujqësore, si dhe probleme në akset rrugore. Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në qarqet Lezhë e Dibër. Për përballimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve janë angazhuar edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe institucione të tjera. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje të gjithë banorëve në zonat e rrezikuara nga përmbytjet të bëjnë kujdes me lëvizjet dhe të njoftojnë autoritetet në rast nevoje.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vërshime uji e kanë krijuar ngërçe qarkullimi në disa komuna të Kosovës. Përmbytje të mëdha janë shënuar në Junik; rritja e nivelit të lumit Erenik ka sjellë të vështirësi të mëdha për banorët e zonës. Në fshatin Jasiq ka pasur rrëshqitje toke, si edhe dëmtim të rrugës kryesore. Uji ka mbushur bodrumet e disa shtëpive, e ndonëse autoritetet thonë se për momentin, situata është nën kontroll, sërish u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes, pasi me vazhdimin e reshjeve, ekziston rreziku që lumi të dalë nga shtrati. Shirat e rrëmbyer kanë shkaktuar vështirësi të mëdha edhe në komunën e Vushtrrisë. Banorët e bllokuar atje kanë kërkuar ndihmën e zyrtarëve të pushtetit lokal. Ata mendojnë se një pjesë e problemit të tyre lidhet me kanalizimet e ankohen se nuk kanë marrë ndihmën e nevojshme.