KQZ-ja SHTYN AFATET E APLIKIMIT PËR ZGJEDHJET NË VERI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka shtyrë deri më 25 nëntor, afatin e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës më 18 dhjetor. Afati fillestar për procesin e aplikimit ishte caktuar deri më 21 nëntor. Sipas KQZ-së, rrjedhimisht është shtyrë edhe afati për certifikimin ose jo të subjekteve dhe kandidatëve nga 26 nëntori më 28 nëntor. KQZ-ja ka thënë se deri më tani ka pranuar dy aplikime për certifikim – nga Partia Demokratike e Kosovës për të katër komunat dhe nga Iniciativa Qytetare Mitrovica për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut. Vendimi për ndryshim të afateve pason ankesën e anëtarit të KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Rama, i cili ka konsideruar që afatet fillestare kanë qenë të shkurtra. Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së zyrtarëve që kanë qenë në këto pozita më 5 nëntor.

SHARE