BREGU: NJË E KATËRTA E POPULLSISË U LARGUA NGA BALLKANI PERËNDIMOR

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, Majlinda Bregu, mori pjesë në një debat panelistësh të nivelit të lartë për marrëdhënien mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. “Si Europa, ashtu dhe Ballkani Perëndimor janë duke ndryshuar demografikisht, si një model i vendeve ‘dërguese’ dhe ‘pritëse’, meqënëse pjesa më e madhe e rreth 230,000 qytetarëve kanë migruar ligjërisht nga rajoni drejt BE-së vetëm në vitin 2018, ndërkohë që mëse 5 milionë (ose ¼ e popullsisë aktuale të rajonit) kanë migruar gjatë 7 viteve të fundit”, tha Bregu. Sipas saj, “po të shtojmë edhe numrin e të rinjve, këto shifra janë edhe më të larta: pavarësisht se 61% e tyre e mbështesin integrimin e rajonit në BE, ata nuk po humbasin kohë”. “Duke pasur parasysh se 35% e të rinjve të rajonit janë të papunë, (dyfishi i nivelit të papunësisë në BE), 62% e të rinjve do të dëshironin të largoheshin e të punonin jashtë shtetit (BB 2019). Këto janë shifra alarmante për rajonin. Megjithatë, ato flasin në mënyrë de facto për europianizimin demografik të popullsisë së saj”, tha Majlinda Bregu.

SHARE