SAMITI I PROCESIT TË BERLINIT, NË FOKUS SIGURIA, INTEGRIMI DHE LUFTA KUNDËR EMIGRACIONIT TË PALIGJSHËM

Londra është mikpritësja e Samitit të radhës të Procesit të Berlinit, një platformë strategjike që synon të fuqizojë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të përshpejtojë rrugën e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian.

Ky forum, i cili bashkon qeveritë e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me partnerët kryesorë europianë, shihet si një katalizator i anëtarësimit të rajonit në BE.

Në samit marrin pjesë liderë politikë, përfaqësues të lartë të BE-së, si dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka deklaruar më herët se Procesi i Berlinit është sot më i rëndësishëm se kurrë më parë, në një kohë kur besimi i qytetarëve të Ballkanit te perspektiva europiane po zbehet.

“Njerëzit atje kanë filluar të humbasin besimin se do të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt. Ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse do të rrezikonim një rikthim në ditët e armiqësisë dhe rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon,” – ka theksuar Wadephul. Qeveria britanike, e cila mikëpret këtë samit për herë të parë, ka njoftuar se do të punojë ngushtësisht me Gjermaninë, iniciatoren e Procesit të Berlinit, për të avancuar prioritetet e përbashkëta në rajon.

Prioritetet kryesore të Samitit të Londrës:

  • Forcimi i sigurisë europiane, përmes mbështetjes për aleatët më të cenueshëm të NATO-s dhe përballjes me ndikimet armiqësore, krimin e organizuar, financimet e paligjshme dhe emigracionin e parregullt;
  • Nxitja e rritjes ekonomike, përmes heqjes së barrierave tregtare, zgjerimit të bashkëpunimit rajonal dhe tërheqjes së investimeve britanike në Ballkanin Perëndimor;
  • Përforcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për goditjen e rrjeteve kriminale dhe menaxhimin e emigracionit të parregullt, që prek edhe kufijtë e Mbretërisë së Bashkuar.

Ky samit vjen pas takimeve të mëparshme të mbajtura në Berlin në vitet 2022 dhe 2024, si dhe në Tiranë në vitin 2023, duke dëshmuar një angazhim të qëndrueshëm për stabilitetin dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.

SHARE