RAMA: SHQIPËRIA E GATSHME TË ANËTARËSOHET NË BE EDHE PA TË DREJTË VETOJE

Shqipëria është e gatshme të bëhet anëtare e Bashkimit Europian edhe pa të drejtë vetoje në procesin e vendimmarrjes në Bruksel.

Këtë deklaratë të fortë e ka bërë sot Kryeministri Edi Rama gjatë një paneli të zhvilluar në Londër me temë “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”.

Duke folur mbi ngërçet aktuale në funksionimin e BE-së, Rama tha se shqetësimi i vendeve anëtare për mekanizmin e vetos është i kuptueshëm dhe se Shqipëria është e gatshme të anëtarësohet fillimisht me një status të veçantë.

“Ka një dëshpërim shumë të qartë mes vendeve anëtare të BE-së, veçanërisht atyre më të mëdha, për faktin që çdo vend ka të drejtën e vetos. Mund ta imagjinoj kur të na shohin edhe ne – do mendojnë ‘edhe një tjetër që mund të thotë jo në fund’. Kanë të drejtë. Ndaj unë kam thënë: Shqipëria mund të anëtarësohet pa të drejtë vetoje, pa të drejtë vote, për aq kohë sa BE reformon veten. Ne jemi plotësisht dakord”, – u shpreh Rama.

Ai shtoi se Shqipëria ka ndjekur në mënyrë të përputhshme politikën e jashtme të BE-së, edhe pse nuk është ende anëtare.

“Edhe në NATO ne jemi të vegjël, nuk marrim vendime, por jemi pjesë e suksesit. Dhe kur ka probleme të mëdha, askush nuk na fajëson. Po kështu mund të funksionojë edhe në BE”, – theksoi Kryeministri.

Në këtë forum, Rama përsëriti edhe qëndrimin e tij për domosdoshmërinë e përfitimeve graduale gjatë procesit të anëtarësimit, duke kritikuar modelin aktual “gjithçka ose asgjë”.

“Nuk mund të jesh thjesht kandidat për shumë vite pa pasur asnjë përfitim konkret. Vendet përreth nesh marrin nga BE rreth 4500 euro për frymë, ndërsa ne vetëm 160-170 euro. Kjo është e papranueshme. Por me nxitjen tonë, kemi arritur të sigurojmë një plan të ri zhvillimi dhe fonde shtesë për të mbështetur reformat”, – deklaroi Rama.

Shqipëria pret të hapë së shpejti të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në, ndërsa sipas planit të qeverisë, procesi i mbylljes së tyre synohet të përfundojë brenda dy viteve të ardhshme. Objektivi final mbetet anëtarësimi i plotë në vitin 2030.

SHARE