QEVERIA E MALIT TË ZI PROPOZON NORMË TË ULËT TATIMORE PËR MJETET E PËRDORURA

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Qeveria e Malit të Zi ka propozuar një ndryshim ligjor që parasheh uljen e përkohshme të normës së tatimit mbi qarkullimin e mjeteve motorike të përdorura, mjeteve lundruese dhe fluturuese – nga 5% në 2.5% – për një periudhë prej 180 ditësh pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Fillimisht ishte planifikuar që kjo periudhë lehtësimi të zgjaste 90 ditë, por me marrëveshje të ministrit të Financave, Novica Vukoviq, dhe Komisionit për Ekonomi, ajo u zgjat në 180 ditë.

Qëllimi është të motivohen qytetarët të formalizojnë pronësinë mbi mjetet e tyre, duke përmirësuar regjistrin zyrtar dhe rritur të ardhurat në buxhet. Sipas vlerësimeve, kjo masë pritet të sjellë një rritje prej 1.5 milionë euro në të ardhurat vjetore të shtetit.

Po ashtu, do të vendoset një obligim për institucionet dhe kompanitë që të raportojnë çdo ndryshim pronësie tek Administrata Tatimore, duke ndihmuar në krijimin e një baze të dhënash më të saktë për pronarët e mjeteve.

Përfaqësues të disa partive parlamentare kanë përshëndetur ligjin, duke e cilësuar si hap pozitiv për formalizimin e tregut dhe rritjen e disiplinës tatimore.

Megjithatë, janë ngritur edhe shqetësime për paqartësi në përkufizimin e normës tatimore dhe efektet reale të ligjit në sjelljen e qytetarëve.

SHARE