MALI I ZI DHE SHQIPËRIA PA ROAMING NË BE NGA QERSHORI

Foto: Ilustrim

Në qershor të vitit të ardhshëm, Mali i Zi dhe Shqipëria do t’i bashkohen tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian për sa i përket kostove të telekomunikacionit, gjë që do t’u mundësojë qytetarëve që të telefonojnë në territorin e BE-së me çmime sikurse në vendin e tyre të origjinës, ka publikuar portali SEEbiz.

Ky vendim është pjesë e planit të afrimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe uljes graduale të kostove të roaming-ut në rajon, proces ky që është në zhvillim prej dy vitesh.

Gjatë këtij muaji, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia iu bashkuan sistemit evropian për transaksione financiare SEPA, çka do t’u mundësojë qytetarëve të tyre të kryejnë pagesa ndërkombëtare ndaj vendeve anëtare të BE-së më shpejt dhe më lirë.

Përveç këtyre shteteve, në proces negociatash për t’iu bashkuar nismës për roaming pa pagesë janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina, për të cilën në pranverë ishte paralajmëruar se që nga janari i vitit të ardhshëm mund të bëhet pjesë e tregut të vetëm të roaming-ut.

SHARE