Foto: PR Centar
Komuna e Tuzit ka zënë vendin e tretë në Indeksin e hapjes dhe transparencës së vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi për vitin 2024. Kjo renditje është realizuar nga organizata joqeveritare „Zona aktive“, në kuadër të një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian.
Ky sukses përbën një dëshmi të rëndësishme të përkushtimit të vazhdueshëm të Komunës së Tuzit ndaj parimeve të punës transparente, të përgjegjshme dhe në shërbim të qytetarëve.
“Ky vlerësim i takon të gjithë punonjësve të administratës komunale, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuojnë çdo ditë në përmirësimin e funksionimit të vetëqeverisjes lokale dhe ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve,” thuhet në njoftimin e komunës.
Nga Komuna e Tuzit gjithashtu theksojnë se do të vazhdojnë me zbatimin e politikave që forcojnë hapjen, përgjegjësinë dhe efikasitetin në qeverisje, me qëllim që të jenë model i praktikave të mira dhe shembull i transparencës në nivelin lokal në Mal të Zi.