GËRVALLA: BE T’I BËJË PRESION SERBISË, NE JEMI NË FAVOR TË DIALOGUT

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fund të mbledhjes së seancës së Këshillit të Sigurimit që u mbajt për Kosovën, tha se Banjska nuk ka qenë incident, por akt agresioni nga Serbia ndaj Kosovës. Po ashtu, sipas saj, edhe sulmi në Ibër Lepenc nuk ka qenë incident dhe dihet kush qëndron prapa këtyre sulmeve.

Ajo foli edhe për blerjet e dronëve, të cilat janë bërë nga një vend i NATO-s, Turqia.

(Plotësuar, 17:30) Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë fjalimit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku po shqyrtohet raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën ka paraqitur një foto nga një ndeshje futbolli në Beograd, ku është shpalosur një grafit i madh agresioni ndaj Kosovës.

“Në Serbi mund të shihni grafite të mëdha e murale si ky, ku shkruhet: kur ushtria të kthehet në Kosovë. Nuk shkruhet nëse ushtria të kthehet, por kur kthehet. Ata nuk e fshehin qëllimin e vetë, ata janë të qartë për këtë haptazi. Ne jemi në favor të dialogut dhe vërtetë dua të shfrytëzoj këtë rast për të lavdëruar punën e Sorensenit se si mund të arrijmë në rezultate të mira edhe me refuzimin e Serbisë. Por, ju lutem na duhet një dialog i vërtetë, e jo mashtrim nga Vuçiqi”, ka thënë Gërvalla.

Ajo tutje ka theksuar se Serbia ka treguar në vitin 2023 se është e gatshme për luftë. “Vuçiqi mund të pengohet e jo të bindet. Në shtator 2023 Serbia kreu një sulm ushtarak kundër Republikës së Kosovës duke dërguar grupe paramilitare të pajisura nga Serbia me pajisje anti-tank me plane për të marrë territorin tonë verior me dhunë. Komandanti i atij inkursioni ishte dora e djathtë e Vuçiqit për Kosovën, ndërsa Vuçiqi e mbanë atë si mysafir nderi. BE-ja duhet të bëjë presion, nëse nuk ka masa për Serbinë ata do të eskalojnë edhe më tutje sepse nuk kanë kujt t’i frikësohen. Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Serbisë, Gjuriq e di shumë mirë. Ai nuk ka probleme me vrasës e dhunues, ai mund të ketë zë të butë, por ai u ulë për kafe pas sulmit në Banjskë me Radoiçiqin”, ka nënvizuar Gërvalla.

Ajo e gjatë fjalimit të saj ka kërkuar lirimin e ish-policit Arbnor Spahiu, i cili është arrestuar në Serbi, derisa ka kërkuar më shumë presion të faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë.

“Ne po e ndjekim rrugën për integrimin euro-atlantik, Serbia po shkon në drejtimin e kundërt, drejt Rusisë. Mos prisni shumë gjatë, është porosia jonë, mos filloni një luftë tjetër ballkanike”.

SHARE