Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq tha sot se janë të kënaqur me mesazhet pozitive për Malin e Zi që u dhanë në prezantimet hyrëse në samitin në Salzburg.
Gorçeviq, siç njoftoi departamenti i saj, mori pjesë në Samitin e Evropës të organizuar nga Instituti i Rajoneve të Evropës në Salzburg dhe foli në panelin “Nevoja gjeopolitike e zgjerimit të BE-së”.
Ministrja Gorçeviq tha se Mali i Zi ka një plan të rënë dakord me Komisionin Evropian për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2026 në mënyrë që të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.
Në njoftimin për shtyp, thuhet se ministrja i rikujtoi se vetëm në njëqind ditët e para të punës, kjo Qeveri, edhe pse nuk kishte një shumicë prej dy të tretash në Parlament, arriti që përmes diskutimeve si me partitë në pushtet ashtu edhe me opozitën, të sigurojnë miratimin e emërimeve në drejtësi, të cilat prej vitesh kanë qenë një pengesë kryesore për përparimin e mëtejshëm.
“Disa ditë më parë, ne miratuam legjislacionin kritik për të mbyllur deri në katër kapituj. Kjo është hera e parë në shtatë vjet që Mali i Zi mbyll përkohësisht kapitujt. Pritet që kjo të ndodhë në konferencën ndërqeveritare me BE-në deri në fund të dhjetorit, e cila do të jetë konferenca e tretë ndërqeveritare këtë vit, pasi nuk është mbajtur asnjë prej disa vitesh”, tha Gorçeviq.
Ajo konkludoi se për shkak të sfidave në rritje që po shohim në Moldavi dhe Ukrainë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, nevojitet mbështetje vendimtare për politikën e zgjerimit nga Bashkimi Evropian dhe anëtarët e tij, sepse, siç tha ajo, integrimi evropian është një proces i dyanshëm.