LIDERËT E BE-së NUK ARRIJNË TË BIEN DAKORD PËR KUFIRIN E ÇMIMIT TË GAZIT NATYROR

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) nuk arritën një marrëveshje nëse do të vendosin një kufi të çmimit për gazin natyror pas një debati që përfundoi në orët e para të ditës së sotme, por ata vendosën të kryejnë studime për të përcaktuar pasojat e mundshme të kufirit të çmimit. Në fund të ditës së parë të samitit të liderëve të BE-së, që filloi dje në Bruksel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “tani kemi një udhërrëfyes shumë të mirë dhe solid” për të vazhduar punën në temën e çmimeve të energjisë. “Liderët kanë dhënë udhëzimet strategjike që donim për propozimin që vendosëm në tryezë të martë”, u tha gazetarëve von der Leyen. Gjithsej 15 anëtarë të BE-së, përfshirë Francën, Italinë, Spanjën dhe Belgjikën, kërkojnë një kufi të çmimit për gazin natyror të importuar, por Gjermania, Holanda, Danimarka dhe disa vende të tjera nuk e mbështesin këtë ide. Vendet që kundërshtojnë kufirin e çmimit thonë se kjo do të rrezikojë sigurinë e furnizimit me energji dhe mund të dëmtojë furnizimin me gaz natyror, veçanërisht në muajt e dimrit. Shefja e Komisionit Evropian njoftoi se ministrat e energjisë të vendeve të BE-së do të mblidhen më 25 tetor për të diskutuar masat dhe kufirin e çmimit. “Liderët mbështetën shumë idenë për t’u lejuar kompanive blerjen e përbashkët, për të ndërtuar konsorciume dhe që të punojnë së bashku për të bashkuar forcat në mënyrë që të rrisin fuqinë e tregut të përbashkët për kërkesën e gazit”, tha von der Leyen, duke shtuar se fokusi është se si të kufizohen çmimet jashtëzakonisht të larta të gazit natyror.

SHARE