PRESIDENTJA E KOSOVËS, OSMANI TAKOHET ME PRESIDENTIN AMERIKAN, BIDEN NË NEW YORK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në një bashkëbisedim të ngrohtë me presidentin Biden, presidentja Osmani ka theksuar se “Në themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës është aleanca e përhershme me SHBA-në”.

Në këtë kontekst, Osmani ka përsëritur qëndrimin se partneriteti me Amerikën është ekzistencial, i pacenueshëm dhe i pazëvendësueshëm.

“Presidentja poashtu pati mundësinë ta njoftojë presidentin Biden për zhvillimet e fundit dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova. Pas këtij bashkëbisedimi, presidentja Osmani theksoi se ka marrë garanca të fuqishme nga presidenti Biden për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se presidentja kosovare ka falënderuar presidentin Biden për ndihmën, të cilën në vazhdimësi e jep SHBA-ja për Kosovën në rrugën e saj drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

Osmani është ftuar të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Biden, si dhe në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden.

Gjatë vizitës së saj në SHBA, Osmani po zhvillon takime me homologët e saj për të biseduar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, sikurse edhe për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

SHARE