RAMA MERR PJESË NË TAKIMIN E NIVELIT TË LARTË, DISKUTIM PËR SITUATËN ENERGJETIKE DHE SULMET KIBERNETIKE

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mori pjesë në një prej takimeve të nivelit të lartë, me krerë të shteteve dhe qeverive, ku u diskutua ndër të tjera për aktualitetin në Ukrainë, situatën energjetike dhe sulmet kibernetike, mes të cilëve edhe sulmet e shumëfishta ndaj Shqipërisë. Kryeministri Rama bëri një panoramë të situatës së përgjithshme ku informoi se së fundmi sistemet digjitale të qeverisë shqiptare u sulmuan nga Republika Islamike e Iranit, përfundim ky i arritur pas një ekspertize të detajuar të skuadrës Microsoft dhe skuadrës së agjencive të specializuara amerikane. Për këtë, arsye – shpjegoi kryeministri, – u ndërprenë në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Kryeministri tha ndër të tjera se i gjithë rajoni po përballet me sulme të kësaj natyre, përfshi këtu Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rama ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, ndërsa sa i takon diskutimeve mbi krizën energjetike në shkallë globale, kryeministri theksoi se Shqipëria nuk varet nga gazi rus por bazohet 100 % në energjinë e burimeve hidrike.

SHARE