LAJÇAK BËN THIRRJE PËR SHTENSIONIM TË SITUATËS NË VERI

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shprehu shqetësim për situatën në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti për automjetet e Serbisë. “Jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për shtensionim urgjent. Është e rëndësishme të ulen tensionet, të rikthehet atmosfera paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes”, shkroi Lajçak në Twitter. Ai tha se i ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së për situatën në veri të Kosovës dhe përsëriti gatishmërinë e institucioneve evropiane për të lehtësuar bisedimet “për të gjitha çështjet e hapura” në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Jarinja dhe Bërnjaku dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës – ku popullsia është shumicë serbe – janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet. Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se policët e Kosovës janë “në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia kërkon tërheqjen e Policisë së Kosovës nga veriu.

SHARE